Senati Dhe Parlamenti I Shtetit Të Nju Jorkut Në Këmbë Për Kosovën
Çertifikatë Përkujtimore për 16 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nga Senati i Nju Jork-ut.
“Populli i Kosovës ka treguar qëndrueshmëri dhe vendosmëri të jashtëzakonshme”, tha senatorja e shtetit të Nju Jorkut, Jessica Scarcella-Spanton.
Qindra shqiptarë dhe amerikanë u mblodhën së bashku në Senatin e Shtetit të Nju Jorkut për të kremtuar 16 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Dita e hënë e 12 shkurtit ka qenë një ditë e jashtëzakonshme, nga më mbresëlënëset për pjesëmarrësit shqiptarë dhe natyrisht për të gjithë popullin shqiptar në Albany në kryeqytetin e Nju Jorkut.
Organi legjislativ i shtetit të Nju Jorkut vendosi që të ndalojë diskutimet e tij të rendit të ditës për të përkujtuar 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke festuar të kaluarën e saj, duke pranuar të tashmen e saj dhe duke pritur me optimizëm të ardhmen e saj.
Në këtë ceremoni të jashtëzakonshme ishin të ftuar dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre nxënësit e fidanishtes së parë të shkollave shqipe në Staten Island të drejtuar nga z. Qemal Zylo shoqëruar nga mësueset Entela Muda dhe Dr. Valbona Zylo Watkins në bashkëpunim me asistenten Aida Hajri dhe prindërit. Ndonëse ishte ditë mësimi të gjithë kishin marre leje për këtë ditë historike dhe së bashku u nisëm me makinat tejet komode të sponsorizuar nga z. Naser Nika veprimtar i dalluar nismëtar dhe bashkëpunëtor në organizimin e kësaj dite të madhe historike për Kosovën.