Senati Dhe Parlamenti I Shtetit Të Nju Jorkut Në Këmbë Për Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador I Kombit
Organi legjislativ i shtetit të Nju Jorkut vendosi që të ndalojë diskutimet e tij të rendit të ditës për të vlerësuar Shkollat Shqipe “Alba Life”. Senatorja e shtetit të Nju Jorkut, znj. Jessica Scarcella-Spanton drejtoi vëmendjen e Senatit të shtetit të Nju Jorkut për të miratuar rezolutën me emrin e Shkollave Shqipe “Alba Life”.
Shoqëruesit, policët e sigurimit na vendosën nëpër vendet tona gjithë respekt ku ne ishim lart dhe senatorët të gjithe ishin nëpër vendet e tyre të shenjta. Dhoma e Senatit është e rëndë, serioze, plot art. Muret përballë nesh kishin një të verdhë floriri si pikëza Dielli që jepte një ndriçim të jashtëzakonshëm, jepte jetë. E ndërsa Senati po bëhej gati për rezolutën dy zonja të mëdha Senatoret Jessica Scarcella-Spanton dhe Nathalia Fernandez po na përshëndesnin me dorë nga Senati. Gjithë emocion, dashuri, lot i përshendetëm dhe ne duke u çuar në këmbë për çfarë ato po bënin për Kombin tonë shqiptar. Nuk mungoi dhe simboli i shqiponjës nga Senatore Nathalia Fernandez duke na çuar peshë zemrat tona.
Senatorja Jessica Scarcella-Spanton në fjalën e saj për miratimin e rezolutës vlerësoi lart Shkollat Shqipe “Alba Life”, punën dhe pasionin për ruajtjen e Gjuhës Shqipe nëpër këto Shkolla ku fëmijët e shqiptarëve emigrantë mësojnë Gjuhën, kulturën, historinë, traditën shqiptare. Ne jemi shumë të vëmendshëm për çfarë komunitetet tona bëjnë kudo për të rritur dhe ruajtur trashëgiminë kombëtare si Alba Life. Kur Rezoluta u miratua me emrin e Shkollave Shqipe “Alba Life”, gjithë Senatorët dhe publiku që ishte pjesëmarrës u ngritën në këmbë dhe u kthyen nga të gjithë mësuesit dhe stafi për t’i përshëndetur. Ishin duatrokitje të stuhishme, miqësore, vlerësuese dhe frymëzuese. Të gjithë mësueset ishin me lot në sy dhe shumë të emocionuara. Nuk do ta harrojmë kurrë këtë ditë thanë të gjitha ato duke filluar me mësuese Entelën e cila është dhe më e vjetra në këtë shkollë. Çfarë ditë e madhe tha mësuese Fatlinda! Sa e gëzuar ishja që u përmend dhe Kosova tha mësuese Mehrija! Sa krenare që jam pranë kësaj shkolle do të vazhdonte mësuese Erinda. Ndihem tejet e lumtur tha mësuese Albana. Ndihem shumë e vlerësuar, shumë me dinjitet dhe në shenjë humori mësuese Rozeta tha se në Parlamentin tonë shqiptar s’hyjmë dot nga policia dhe sigurimi sekret, kurse këtu na çohen në këmbë duke na respektuar në maksimum. Është një ditë që na obligon për më shumë në të ardhmen tha Dr.Zylo Watkins.
Ne ju jemi shumë mirënjohës dhe ju urojmë punë të mbarë Ansambleistit John Zaccaro, Senatores Jesica Jessica Scarcella-Spanton dhe senatores Nathalia Fernandez për vlerësimin maksimal që iu bënë Shkollave Shqipe “Alba Life” dhe natyrisht kjo ditë e dielltë do të ngelet përjetësisht në histori dhe në kujtesën e pjesëmarrësve.